30 tetor 2010

Alegri: Me Juven dua një ndeshje të madhe

Trajneri i Milanit i ka kërkuar skuadrës të përmirësojë lojën në prag të ndeshjes me bardhezinjtë

“Kujdes dhe intensitet”. Masimiliano Alegri i jep Milanit recetën e duhur në prag të ndeshjes së madhe që do të luhet sot në mbrëmje kundër Juventusit. Kuqezinjtë ndjekin Lacion kryesuese në kampionat, bardhezinjtë do të paraqiten në këtë sfidë me mungesa të rëndësishme. “Futbolli është bërë edhe nga numrat dhe disa të dhëna të caktuara janë të rëndësishme.

Të dhënat në lidhje me paraqitjet e Juves në transfertë në këtë fillim të kampionatit pasqyrojnë më pas karakteristikat e skuadrave të Del Nerit, që mbrohen mirë. Juvja do të na vërë në vështirësi në një javë që ka qenë e veçantë për ata për shkak të skualifikimit të Krasiçit. Duhet të bëjmë një ndeshje shumë të mirë”, tha Alegri.

Në lidhje me Juventusin, trajneri kuqezi, shton se “ka një grup të mirë lojtarësh. Edhe kur janë në vështirësi arrijnë të bëjnë një paraqitje të mirë, pavarësisht mungesave. Për të fituar kundër tyre duhet të jemi të kujdesshëm dhe të zhvillojmë një ndeshje me intensitet të lartë”. Milani duhet të bëjë një hap përpara në krahasim me paraqitjet e fundit.

“Duhet të luajmë gjithmonë më mirë se në ndeshjen e fundit. Në Napoli luajtëm mirë në 40 minutat e para me mentalitetin e duhur, kundër Juves do të jetë një ndeshje tjetër dhe duhet të mendojmë për këtë sfidë”.Trajneri i Milanit duhet të mendojë edhe për ndeshjen e Ligës së Kampionëve që do të zhvillohet të mërkurën kundër Realit të Madridit. “Sigurisht do të zbresin në fushë Abiati, Ibrahimoviç, Pirlo dhe Nesta. Dyshimet janë në lidhje me mbrojtësin e krahut të djathtë: janë tre lojtarë për një vend, Odo, Abate dhe Bonera”, shpjegon ai. Ka dyshime në lidhje me prezencën e Tiago Silvës.

Mbrojtësi brazilian “sot (dje) do të stërvitet me skuadrën dhe do ta vlerësojmë mirë gjendjen e tij: nëse është në formë dhe nuk do të ndjejë asnjë shqetësim do të luajë, ndryshe do ta presim për ndeshjen kundër Realit të Madridit”. Nuk do të jetë Ronaldinjo, që dje ka marrë lajmin për rikthimin te kombëtarja. Trajneri i Brazilit, Mano Menezes, e ka grumbulluar për miqësoren e 17 nëntorit në Doha kundër Argjentinës.

“Ronaldinjo nuk është një problem, problemi është se nuk është në formë dhe nuk është në dispozicion. Shpresoj ta rekuperojmë për ndeshjen me Realin”, ka thënë tekniku, që nuk ka dashur të zbulojë shumë në lidhje me lojtarin që do të mbulojë pozicionin e mesfushorit të avancuar. “Do të shohim edhe modulin që do të përdorë Juventusi dhe do të marrim masat e duhura.

Robinjo luajti mirë në atë pozicion ashtu si Sedorf në Amsterdam dhe Robaldinjo kundër Kievos. Kam tre mesfushorë të avancuar, mund të them se në këtë rol nuk kemi probleme”. Nëse Milani fiton sot do të largohet akoma më shumë nga Juventusi. “Tetë pikë avantazh ndaj Juves do të ishin shumë, por nuk mund të mendojmë se do të ishte jashtë luftës për titull nëse humb kundër nesh. Në kampionat duhet të marrësh 3 pikët gjithmonë, vetëm në përballjet direkte barazimi mund të jetë një avantazh”, ka përfunduar Alegri.

Boateng: Kampionati, objektivi i Milanit

“Ndeshja me Juventusin? Eshtë një sfidë si gjithë të tjerat: do të zgjasë 90 minuta, në fushë do të shkojnë 11 lojtarë për çdo skuadër dhe secili do të kërkojë të japë maksimumin për të fituar. Si do të përfundojë? E lehtë, nëse Milani do të japë maksimumin e potencialit nuk shikoj asnjë pengesë: tri pikët do të jenë tonat”.

Këto kanë qenë fjalët e Kevin Princ Boateng në prag të ndeshjes së madhe. “Një fitore do të konfirmonte momentin e mirë që po kalojmë dhe do të vërtetonte se ne mund të fitojmë kampionatin. Nuk duhet të kemi frikë nga askush, nuk duhet të shqetësohemi për kundërshtarët tanë, por vetëm të mendojmë për të dhënë maksimumin në fushën e lojës. Pse nuk ka ndodhur kjo me Realin? Nuk kemi punuar mirë, veçanërisht në mbrojtje.

Dhe mentaliteti ynë nuk ka qenë ai i duhuri. Kur përballesh me kundërshtarë të tillë nuk mund t’ia lejosh vetes, sepse dinë të përfitojnë nga çdo gabim. Kemi qenë të pafat që kemi pësuar dy gola në fillimin e takimit, por me fat që nuk kemi pësuar të tjerë gjatë ndeshjes. Për këtë arsye duhet të jesh gjithmonë i përqendruar për të mos humbur pikë rrugës.

Championsin, e konsideroj një bonus. Nëse do të më duhej të zgjidhja midis kampionatit dhe Championsit? Unë zgjedh kampionatin, sepse do të ishte rezultat i punës së përditshme. Liga e Kampionëve mbetet objektivi më prestigjoz dhe një nga ëndrrat e mia. Por besoj se, për këtë sezon, kampionati është objektivi më i rëndësishëm për Milanin. Lojtari më i frikshëm i Juves? Unë nuk kam frikë nga askush”, ka thënë Boateng.

Zambrota: Forca jonë është grupi

Duket sikur të ishte Milanelo: kanë qenë të pranishëm Alesandro Nesta, Andrea Pirlo, Kristian Abiati, Xhianluka Zambrota dhe drejtori sportiv i Milanit, Ariedo Braida. Gjithçka është zhvilluar në “Hipodromin e ecjes me trok”, dy hapa larg “San Siros”, rasti ka qenë një nga ato që nuk mund të humben, edhe pse sot në mbrëmje do të luhet Milan-Juventus: dhënia e çmimeve “Sportisti i vitit: Golden Aëard 2010″, një eveniment bamirësie për të ndihmuar familjet në vështirësi.

Lojtarët do të flasin midis tyre, por nuk kanë preferuar të flasin për ndeshjen. Vetëm Zambrota, që akoma nuk ka rekuperuar nga dëmtimi dhe ka pak mundësi që të luajë kundër Juventusit, ka bërë një koment: “Milan-Juve është një nga ndeshjet e shumta të këtij viti. Momenti pozitiv i Milanit? Eshtë grupi, një trajner që po bën një punë të mirë dhe blerjet e rëndësishme”, ka thënë mbrojtësi kuqezi.

Ka qenë i pranishëm edhe ministri italin i mbrojtjes Roberto Maroni, që është edhe një tifoz i Milanit. “Më vjen keq që Juves do t’i mungojë Krasiç. Më kujtohet finalja e Championsit ku mungonte Nedved dhe… Unë jam gjithmonë optimist, por Juvja është favorite. Kam menduar edhe për të bllokuar hyrjen e tifozëve juventinë në stadium…

Nuk e ndjek ndeshjen nga stadiumi sepse jam supersticioz, kur unë nuk jam zakonisht fitojmë. Interi mbrapa nesh në renditje? Eshtë një situatë e përkohshme, të gjithë janë favoritë bashkë me Milanin”, ka thënë duke qeshur Maroni.