28 tetor 2010

Anjeli: Do të kërkojmë rikthimin e titujve

Presidenti i Juves është kthyer të flasë për “Calciopoli”-n në asamblenë e aksionistëve të klubit

“Pasi të jetë verifikuar korrektësia e klubit gjatë viteve në fjalë mund të bëjmë kërkesë për rikthimin e titujve”. Andrea Anjeli e ka hapur asamblenë e aksionistëve të Juventusit me këto fjalë në lidhje me “Calciopoli”-n. Presidenti bardhezi pret lajme në lidhje me kërkesën për heqjen e titullit të sezonit 2006-të që i është dhënë Interit në tavolinë: “Kemi marrë nga Federata Italiane e Futbollit garanci të mjaftueshme që shumë shpejt do të marrim një përgjigje.

Presim me besim”. Më pas, numri një i bardhezinjve ka folur për krenarinë e të qenit në drejtim të Juventusit: “Më lini të shpreh këtë ndjesi të madhe krenarie për faktin se jam këtu duke drejtuar këtë asamble të këtij klubi të lavdishëm dhe familja ime e përfaqëson prej rreth 90 vitesh, - ka thënë Anjeli. - Ai i kaluari ka qenë një nga sezonet më të vështirë të historisë tonë. Pas ardhjes time, bashkë me Zhan Klod Blank, kemi vendosur ta përforcojmë si në aspektin menaxherial ashtu edhe atë teknik”.

Nga e tashmja, presidenti bardhezi, ka folur për të kaluarën, duke bërë një deklratë të fortë: “Kam respekt për Luçiano Moxhin, për punën që ka bërë te ne dhe jo vetëm, e kam thënë këtë edhe më parë në publik. Por, sot pika jonë e referimit për zonën teknike është Xhiuzepe Marota, që ka të gjithë mbështetjen time dhe që do të doja ta kishte këtë nga të gjithë tifozët e Juventusit.

E falënderoj Marotën për faktin se ka pranuar sfidën duke u bërë pjesë e Juventusit dhe ka bërë një punë shumë të mirë në pak kohë. Del Neri, nga ana e tij, i ka treguar më parë vlerat e tij. Besimi te Marota është total, ashtu si te Del Neri. Gëzojnë autonomi të plotë për të punuar në maksimum”. Në lidhje me futjen e Nedvedit në Këshillin Administrativ të Juves:

“Përsa i përket Këshillit Administrativ kishte nevojë për një rinovim edhe aty dhe, më vonë, do të vlerësojmë kërkesën për përfshirjen e Marotës dhe Nedvedit. Jam krenar për faktin që Pavel ka pranuar të japë kontributin e tij. Ai është pjesë e historisë së këtij klubi, por ka edhe cilësitë morale për ta përfaqësuar.

Ai ka vendosmërinë dhe dëshirën për të mos u dorëzuar kurrë”. Edhe presidenti i FIAT-it, Xhon Elkan, ka marrë pjesë tek asamblea e aksionistëve të Juventusit. Eshtë ndalur vetëm disa minuta për të përshëndetur kushëririn e tij Andrean, për herë të parë i impenjuar si president i Juves në asamblenë e ortakëve.