30 tetor 2010

Del Neri: Dua ta mund Milanin

Tekniku i Juentusit, Luixhi Del Neri, u shpreh optimist mbi mundësitë që ka skuadra e tij për të dalë me tri pikë nga përballja e së shtunës mbrëma me Milanin në “San Siro”.

“Jam plot besim, shkojmë në Milano për të fituar. Nuk kënaqem as me barazimin”, u shpreh Del Neri në konferencën e stypit të zhvilluar pasditen e së premtes. Ai shprehu sigurinë se ekipi që drejton nuk është aspak inferior përballë një kundërshtari me emra të tillë si Robinjo, Pato dhe Ibrahimoviç. “E respektoj kundërshtarin, por edhe ne kemi cilësi”, vuri në dukje tekniku italian.

Megjithatë, dëmtimet nuk e kanë lënë të qetë Del Nerin ta përgatisë në mënyrën më të mirë përballjen me kuqezinjtë. Infermieria është e mbushur plot, megjithëse një fije shprese vjen nga Amauri: “Po e merr veten, të shohim si do të jetë pas stërvitjes së fundit. Shpresoj ta kem në dispozicion, megjithëse e di që nuk ka mundësi të jetë titullar”. Pastaj ca fjalë të mira për Ibrahimoviçin: “I ka të gjitha cilësitë e një sulmuesi të madh: forcë, qëndrueshmëri, shpejtësi dhe teknikë. Duhet t’i ruhemi”.

Ndërkaq, konfirmohet pezullimi për dy javë i mesfushorit serb Millosh Krasiç. Gjykata e Drejtësisë Federale ka hedhur poshtë sot apelin e Juventusit mbi vendimin e gjykatësit sportiv javën e kaluar, në lidhje me simulimin e lojtarit në ndeshjen kundër Bolonjës të dielën e shkuar. Ish-futbollisti i CSKA-së së Moskës do të humbasë ndeshjet me Milanin dhe Çezenën në kampionat.
/start/E. Bylykbashi/