30 tetor 2010

Del Piero shtyn lamtumirën nga futbolli

Tifozë dhe mbështetës të tij mund ta shijojnë akoma, shokët e skuadrës, si gjithmonë, mund të mbështeten tek ai, kundërshtarët duhet të dorëzohen para magjive të tij. Alesandro Del Piero nuk ka ndër mend të mbyllë karrierën e tij në një të ardhme të afërt. Kapiteni i Juventusit, që mbush 36 vjeç më 8 nëntor, ka akoma uri.

“Me Milanin mund të jetë ndeshja ime e fundit në “San Siro”? Unë e jetoj çdo ndeshje me dëshirën dhe instiktin e një 18-vjeçari”, ka thënë sulmuesi bardhezi. Por, kontrata e kampionit të botës në Gjermani 2006 me klubin e Anjelit skadon në qershorin e ardhshëm. “Do të jetë një zgjidhje e natyrshme që do të duhet ta bëjmë bashkë unë dhe klubi, por një gjë është e sigurt: kam dëshirë të vazhdoj të luaj, te Juventusi ose jashtë Italisë, nuk mund të luaj me një fanellë tjetër në kampionatin italian.

Te Juvja kam jetuar edhe momente të vështira, por jam ndier gjithmonë mirë dhe jam krenar për gjërat që kam bërë. Dhe për rekordet e mia”. Por e ardhmja e tij mund të jetë akoma në Serinë A. “Me Andrea Anjelin kam patur gjithmonë një marrëdhënie të mirë, nuk ndihem i shqetësuar për takimin në lidhje me rinovimin e kontratës”, ka thënë kapiteni bardhezi. Më pas vëmendja është zhvendosur te ndeshja e madhe e “San Siros”:

“Çfarë presim? Konfirmimi i rritjes tonë bazohet te marrja e rezultateve pozitive. Kemi rizbuluar kënaqësinë për të dalë me kokën lart nga çdo ndeshje. Ndeshja kundër Milanit do të jetë një etapë e rëndësishme. Objektivi i Juventusit? Ai që kemi deklaruar në muajin korrik: të jemi gjithmonë krenarë se kemi luajtur te Juventusi. Dhe mund të garantoj se do ta bëjmë këtë në çdo ndeshje”, ka thënë Del Piero.