27 tetor 2010

Inzagi dhe Xhilardino në shënjestrën e Juves

Klubi bardhezi synon të përforcojë repartin e sulmit në merkaton e janarit dhe atë të qershorit

Probleme fizike dhe paraqitje jo shumë bindëse, ndaj te Juventusi është drejtuar gishti nga reparti i sulmit. Do të jenë dy muaj vendimtarë mbi të gjitha për Iakuintën dhe Amurin. Praktikisht e pamundur për të gjehet një sulmues i klasit të lartë në merkaton e janarit, por ndonjë marrëveshje e mirë mund të arrihet gjithsesi. Edhe e klasit të parë. Duhen ide, dhe një farë aftësie për t’i nuhatur marrëveshjet e mira para të tjerëve.

Një “sport” ku drejtori i përgjithshëm i Juves, Marota, është një nga më të mirët. Atëherë duhen mbajtur nën vëzhgim ata që luajnë pak në klubet e tyre. Për shembull Filipo Inzagi, që ndër të tjera do të mund të luante dhe në Ligën e Europës, me përjashtim të mundësisë që Milani të dalë i treti në grupin e Ligës së Kampionëve. Ndër të tjera, me kuqezinjtë mund të zhvillohen negociata të tjera që mund të përfshijnë Amaurin, Bonerën dhe Antoninin: dy mbrojtësit i pëlqejnë Del Nerit dhe do t’i zgjidhnin shumë punë mbrapa.

Duke iu kthyer sulmuesve, në Angli mund të negociohet për Robi Kin, 30-vjeçarin irlandez që nuk po gjen shumë hapësira te Totenhemi. Vazhdon të ndiqet me kujdes edhe francezi i Realit të Madridit, Benzema, i cili nuk ka marrëdhënie të mira me Hoze Mourinjon. Ndërsa, duken më të shtrenjta rrugët që të çojnë te Fernando Lorente (Atletiko e Bilbaos) dhe Andre-Pierr Zhinjak (Marsejë).

Në qershor pritet blerja e madhe, me Dzekon që është objektivi numër një për muajin qershor. Pjesa më e madhe e sforcimeve ekonomike do të përqendrohen te qendërsulmuesi boshnjak. Por nuk duhet harruar as Xhilardino, që pikërisht këto ditë po ndryshon menaxherin e tij: do t’i besojë Bepe Pocos, menaxher, që kohët e fundit ka mbyllur shumë marrëveshje me Juven. Ka ndryshuar menaxher edhe Klaudio Markizio, ndërsa gazeta franceze “L’Equipe” ka bërë të ditur se Juventusi është afër mesfushorit 23-vjeçar të Sent Etienit, Blaiz Matuidi.