30 tetor 2010

Milani me pikëpyetje, Juve për fitore

Sot, ora 20.45: Italia, me sytë nga supersfida në “San Siro”

Java e nëntë e Serisë A sjell supersfidën ndërmjet Milanit dhe Juventusit, që do të ndeshen sot në orën 20.45 në “San Siro”. Një përballje, e cila për të dyja skuadrat vlen për të përforcuar pozitat në zonën e lartë të klasifikimit. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alegri janë vetëm 2 pikë larg Lacios kryesuese, ndërsa bardhezinjtë e Delnerit kërkojnë të përmirësojnë pozitat e tyre, pasi aktualisht ndodhen vetëm në zonën e Europa League me 12 pikë të grumbulluara. Një duel që karakterizohet nga mungesat me peshë nga të dyja kampet. Në fakt, Milani do të paraqitet në fushë pa Ronaldinjon dhe Zambrotën, duke bërë që sipas gjasave në repartin ofensiv të ketë hapësirë për treshen Robinjo, Pato dhe Ibrahimoviç. Për sa i takon Juventusit, mungesat janë Bufon (i dëmtuar prej kohësh), Traore, Grigera, Amauri, Iakuinta, të cilëve së fundmi u shtohet edhe Krasiç. Gjatë ditës së djeshme, Apeli ka vendosur që për mesfushorin serb të mbetet në fuqi pezullimi me dy ndeshje, pas simulimit në sfidën e kaluar me Bolonjën.

Në prag të sfidës, Masimiliano Alegri ka preferuar të mbajë nën tension Milanin. Trajneri nuk ka dhënë asnjë detaj për formacionin titullar, ndërsa kërkon kontributin e të gjithë lojtarëve. Për drejtuesin e stolit kuqezi, kjo me bardhezinjtë është “një ndeshje e madhe dhe e vështirë. Për ta fituar, duhet që të luajmë mirë, të jemi të përqendruar dhe të kujdesshëm. Mungesa e Krasiç? Me apo pa të, kundër Juves do ta kemi të vështirë”. Padyshim që trajneri e ka në mendje 11-shin e parë, por ai thekson vetëm “të paprekshmit”: “Luan Abiati, tha duke buzëqeshur, edhe Ibrahimoviç, Pirlo, Nesta”. Tiago Silva pritet të jetë në fushë, por kjo ndeshje do të tregojë gjendjen e tij fizike. Në anën tjetër, tekniku Delneri ka bërë të ditur se Juventusi do të luajë për të fituar. “Do të hyjmë në këtë ndeshje të vetëdijshëm për kualitetin tonë. Kam besim te skuadra ime. Nuk firmos për barazimin; kjo Juve duhet të jetë e bindur që të zbresë në fushë dhe të fitojë përballë çdo kundërshtari”, tha Delneri.