27 tetor 2010

Mourinjo i “dhuron” Juves Benzemanë

Hoze Mourinjo nuk e do më në ekip sulmuesin francez, ndërkohë që në krahun tjetër, Juventusi është gati ta “rrëmbejë” qysh në merkaton e janarit.

Faqja e parë e të përditshmes sportive spanjolle “Marca” (shumë pranë klubit “galaktik”) është e qartë: “Është i vdekur!” Bëhet fjalë për Karim Benzemanë, protagonist i paraqitjes zhgënjyese mbrëmjen e së martës në transfertën me Mursian, e vlefshme për Kupën e mbretit. Hoze Mourinjo vendosi ta nxjerrë nga loja në minutën e 62-të pas formës së dobët të sulmuesit. Pra, portugezi nuk e do më në skuadër 23-vjeçarin, çka përbën një “asist” për Juventusin. “Zonja” është gati ta marrë që në janar.

I transferuar në Madrid si një nga blerjet më të mëdha të klubit në sezonin e kaluar, sulmuesi po përjeton një moment të errët në “Bernabeu”. Benzema kurrë nuk ka treguar vlerat e dy sezoneve më parë te Lioni duke humbur pak nga pak terren kundrejt argjentinasit Gonzalo Higuain në repartin e avancuar.

Ndërkaq, te Juventusi po e mendojnë seriozisht si alternativën ideale për sulmin, pas problemeve të shumta në këtë repart gjatë ndeshjeve të para të sezonit të ri. Sipas mediave italiane, klubi nga Torino pritet ta bindë futbollistin të ndryshojë mjedis, gjë që parashikohet mision relativisht i thjeshtë. Më pas i takon Realit të Madridit të bjerë dakord me ofertën e bardhezinjve.