31 tetor 2010

Nga Ibra te Krasiç, Seria A nuk ka gabuar

Blerjet e bëra në këtë merkato të verës kanë rezultuar vendimtare për shumë skuadra italiane.

Endrra e verës, që kthehet në një realitet në vjeshtë. Sa herë tifozi i ndikuar nga entuziazmi, në mesin e muajit gusht, ka imagjinuar se lojtari i sapoblerë nga skuadra e tij mund të ishte ai që do t’i jepte fitoret e ëndërruara. Për t’u përplasur më pas me dy realitete të trishtueshme. Shumë, tepër herë. Blerje të dështuara, ndoshta të shitur për një shifër më të ulët disa muaj më vonë.

Si Diego i Juventusit, sa për të dhënë një shembull. Por, këtë vit gjërat duket se kanë shkuar më mirë për ata që kanë investuar dhe kanë përforcuar skuadrën me lojtarë të rinj. Lojtarë që në harkun e pak javëve kanë fituar zemrat e tifozëve, që janë përshtatur shumë shpejt me skuadrën e re. Një merkato, që deri në këtë moment mund të konsiderohet më shumë se pozitive. Ta nisim pikërisht nga blerja më e bujshme e kësaj vere, Ibrahimoviç.

Pavarësisht se Milani në këtë fillimsezon ka patur një rendiment me ulje dhe ngritje, suedezi është përshtatur menjëherë me skuadrën e re dhe operacioni i mbyllur me sukses nga Galiani po rezulton i goditur. Pesë gola në gjashtë ndeshje zyrtare janë një mesatare shumë e mirë. Tre në Ligën e Kampionëve për të mundur Okserin dhe barazuar me Ajaksin por dy gola në kampionat, në “Olimpiko” kundër Lacios dhe tjetri të shtunën e kaluar në “San Siro” me Xhenoan.

Duket ai i kohëve të Interit dhe sezoni zhgënjyes me Barcelonën është vetëm një kujtim i largët. Piërisht java e fundit e Serisë A ka nxjerrë në pah juventinin Krasiç. Prej javësh është folur me ngjashmërinë e tij të madhe me Nedvedin, për flokët e verdhë, për rolin që mbulon dhe për mënyrën sesi vrapon në fushë. Tani mund t’i afrohet çekut edhe për mënyrën se si luan futboll.

Ishte ai që duhej për Juventusin, pas disa dështimesh të kohëve të fundit. Me 15 milionë eurot e shpenzuara që duken një investim i mirë. Dhe të mendosh se drejtuesit bardhezinj e kanë pezulluar operacionin për shumë javë, para se ta mbyllnin përfundimisht. Një operacion të suksesshëm duket se e ka bërë edhe Napoli me Kavanin.

Me pesë golat e shënuar deri tani në këtë fillim të kampionatit është golashënuesi më i mirë i Serisë A bashkë me Etonë. Një nisje e shkëlqyer, me sulmuesin uruguajan që ka shënuar dy dygolësha deri në këtë moment, kundër Elfsborgut në Ligën e Europës dhe kundër Çezenës të dielën e kaluar. De Laurentis e ka paguar, ose më mirë do ta paguajë shumë (5 milionë euro janë dhënë për ta marrë borxh, me të drejtën për ta blerë plotësisht kartonin e lojtarit vitin e ardhshëm të fiksuar në 12 milionë, për një total prej 17 milionë eurosh), por është një operacion që po jep rezultate të mëdha.

Një tjetër lëvizje e suksesshme ka qenë ajo e presidentit të Lacios, Klaudio Lotito, i cili ka siguruar brazilianin Hernanes, i paguar 13,5 milionë euro. Milani, që e ka ndjekur për një kohë të gjatë fantazistin, donte ta kthente në zëvendësuesin e Pirlos, ndërsa Reja ka preferuar ta zhvendosë disa metra më përpara, si mesfushor i avancuar.

Dhe nëse Lacio ndodhet në krye të renditjes, kjo është edhe për meritë të këmbëve të lojtarit brazilian. Edhe Borrielo te Roma ka qenë një lëvizje e mirë. Dhe tifozët verdhekuq kanë menduar menjëherë për një sukses në kampionat. Por realiteti, për momentin, ka qenë i ndryshëm. Por sigurisht jo për faj të ish-sulmuesit të Milanit, që përkundrazi ka shënuar dy gola deri tani në pesë ndeshjet e luajtura me verdhekuqtë.

Dy gola në kampionat janë shënuar edhe nga lojtari i Palermos, Iliçiç, zbulimi i fundit i presidentit Zamparini. I paguar 2,3 milionë euro, tani ai vlen dyfishin. Shumë pozitiv ka qenë edhe impakti i Xhiovinkos te Parma, por është për të ardhur keq që ish-fantazisti i Juventusit është ndalur për shkak të një dëmtimi muskulor në kofshë. Në fund, po paraqitet mirë edhe braziliani Eder, i blerë nga Breshia për 4,2 milionë euro në merkaton e verës. Tani vlen 6.