29 tetor 2010

Zyrtare, Nedved, drejtuesi i ri i Juves

Pavel Nedved është zyrtarisht një pjestar i këshillit administrativ të Juventusit. Një hap i rëndësishëm ky në jetën e tij pasi “vari këpucët në gozhdë”. Topi i Artë në 2003-in nuk e ka fshehur kënaqësinë: “Njerëzit më duan, do të bëj gjithçka për të më dashur akoma më shumë. Jam i lumtur, është një emocion i madh, - ka deklaruar Nedvedi. - Edhe pse, nuk më ka ndodhur asnjëherë në jetën time të qëndroja ulur për një kohë kaq të gjatë…

Nëse do të kisha mundësi do të rikthehesha në fushë, mendoni unë dhe Krasiç bashkë në dy krahët e mesfushës…”. Ish-futbollisti do të ketë detyra të veçanta në aspektin sportiv dhe komercial dhe do të jetë një lloj ndërmjetësi midis klubit dhe skuadrës. Futja e tij në këshillin administrativ është kërkuar me ngulm nga Andrea Anjeli: “Më vjen mirë për përfshirjen e tij në këshillin administrativ. Pavel, përveç se është pjesë e historisë së klubit, përfaqëson ato vlera që ne duam t’i transmetojmë skuadrës”, ka thënë presidenti i bardhezinjve.