19 nëntor 2010

Nga Adebajori te Bridxhi, gjysma e Sitit në shitje

Mediat britanike bëjnë me dije se trajneri Roberto Mançini i ka kërkuar sheikut Mansur shitjen e gjashtë lojtarëve në merkaton e janarit, për të sjellë në verë sulmuesin boshnjak të Volfsburgut, Edin Dzeko.
Nga Manuel Adebajor te Uejn Bridxh, duke kaluar përmes Shon Rajt-Filips, Roke Santa Kruz, Xho e Shei Given. Në këtë mënyrë Mançester Siti synon të fusë në xhep 50 milionë stërlina. Të gjashtë futbollistët e mësipërm janë sjellë në “Eastlands” nga paraardhësi i Mançinit, Mark Hjuxhs dhe kanë kushtuar në total plot 87,5 milionë stërlina.

Objektivi i klubit nga Mançesteri është që me paratë e siguruara nga shitja e tyre në janar, të afrojë sulmuesin boshnjak të Volfsburgut, Edin Dzeko, në qershor. Oferta e Sitit për bomberin 24-vjeçar mund të arrijë deri në 35 milionë stërlina. Dzeko ka qenë objektivi kryesor i Mançester Sitit edhe gjatë merkatos së verës që shkoi, por Volfsburgu i rezistoi ofertave duke e mbajtur sulmuesin ballkanas.