28 shkurt 2011

Rikthehet dyshja e frikshme e Juventusit?

Të fitojë me Milanin, pastaj me Cesenën, Brescian dhe Romën.
Vetëm kështu, Luigi Del Neri mund të shpresojë që të vazhdojë të qëndrojë në krye të drejtimit të Juventusit deri në përfundim të sezonit.

Përndryshe, kujdes, pasi mund të mbërrijë Marcelo Lippi si trajneri deri në fund të sezonit dhe më pas të emërohet në postin e drejtorit të përgjithshëm, ndërsa trajner pritet që të vendoset një mes Antonio Contes dhe Gasperinit, me të parin favorit.

Rikthehet ndërkohë edhe hija e Luciano Moggit. Por, së fundi është folur edhe mbi mundësinë e emërimit të Pavel Nedved si trajner i përkohshëm i Juventusit deri në fund të sezonit, gjë që mbështetet fuqishëm edhe nga ana e tifozëve bardhezinj, të cilët e kujtojnë me nostalgji çekun dhe kërkojnë ta shohin sërish në fushë, këtë radhë jo si lojtar, por trajner. Dëshira e tifozëve për Nedvedin trajner është konfirmuar edhe nga një sondazh i gazetës sportive pranë Juventusit, “Tuttosport”.

Ajo që tashmë është e sigurtë, është fakti se dyshja Del Neri-Marotta janë në rrezik serioz për t’u shkarkuar, pasi kanë bërë që sezonin i Juventusit, të paktën deri më tani, të jetë një nga më të dështuarit në të gjithë historinë e bardhezinjve. /Juventus-Fans/