27 mars 2011

Protagonistët e triumfit në “Qemal Stafa” vlerësojnë fitoren e grupit dhe sakrificës

Një kombëtare e madhe me Bjellorusinë, gëzon një komb i tërë

Shqipëria bën një nga ndeshjet më të bukura, jemi të dytët bashkë me Bjellorusinë
Heronjtë u kthyen! Ata në dhuruan një ndeshje të madhe, të bukur, emocionuese, një nga ndeshjet më të bukura të të gjithë historisë së kombëtares shqiptare, një ndeshje që zgjon ëndrrën europiane. Një komb i tërë ka qenë në ankth, por që goli bëri që një komb i tërë të festojë. Anembanë botës shqiptarët edhe njëherë zgjuan më shumë se kurrë ndjenjën kombëtare. Fati ndihmoi më të mirin, por rezultati duhej të ishte i thellë, fati ndoshta ndihmoi Bjellorusinë, që duhej të kishte marrë një “thes” me gola me vete. Por fitorja nganjëherë qenka më e bukur me një gol, në ndeshje gati perfekte për këta heronj. Mbrëmë nuk pati as mesatarë, ishin të gjithë pa përjashtim super në formë. Ju lumtë djema! Ky ishte refreni i të gjithë tifozëve shqiptarë kudo që ndodheshin. Tirana sikur po festonte një ditë të shënuar, por në fakt kështu e kthyen djemtë e kombëtares, “veteranë” e të rinj, mbrëmë ishin një. Një notë maksimale edhe për tifozërinë, që mbrëmë kishte mbushur stadiumin dhe e ka “tepruar” me mbështetjen. Bravo kosovarë, tetovarë, çam e kush e përkrahu kombëtaren! Të gjithë shqiptarët u ndjenë edhe një herë tjetër krenarë dhe këtë e bënë heronjtë kuqezinj, Salihi, Cana, Bogdani, Skela, Lala e të tjerë.

Pjesa e parë

Ka nisur me presing nga tanët dhe rastet janë krijuar që në fillim të ndeshjes për Shqipërinë. “Regjisori” Skela mbrëmë shpërndante topat dhe nga krahët vinin jo pak krosime, me Bulkun, apo edhe Vangjeli me Lilën. Dhe rastet janë shumë. E nis Bogdani, pastaj Cana, për të ardhur te gjuajtja spektakolare e Bulkut, që vetëm Zoti e di se si e priti portieri mik. Një gjuajtje më e mirë se e golit të fundit ndaj Sllovenisë. Dhe këto raste në harkun kohor të 6 minutave. Detyrat ishin të qarta, duhet të shënohej patjetër për të “asfiksuar” kundërshtarin që në fillim. Goli vjen, të gjithë gëzojnë, por për fatin e keq tonin, Salihi ka prekur topin me dorë, por këtë e pa vetëm gjyqtari dhe askush tjetër. Një rast që mbetet për t’u parë. Presingu vazhdon në portën bjelloruse, pavarësisht se rastet nuk janë më të shpeshta për tanët. Për të ardhur në pesë minutat e fundit të pjesës së parë, ku duhet të kishim shënuar të paktën dy gola. Kjo jo nga dëshira, por nga rastet, ku në lojë hyn edhe shtylla për të shpëtuar portën e miqve tanë. Eshtë Lorik Cana, me një gjuajtje “alla Ronaldo”, që bën të gjithë të vënë duart në kokë që ai top nuk hyri gol. Një nga goditjet më perfekte të bëra ndonjëherë nga mbrojtësi kosovar, që do të mbetet jo vetëm në mendjen e tij, por të të gjithë shqiptarëve. Një Shqipëri e pafat në pjesën e parë, ku duhet të ishin shënuar të paktën 3 gola, por që mbyllet në barazim pa gola.

Pjesa e dytë

Nuk ka zëvendësime nga ana jonë dhe lojtarët janë po ata, janë po aq këmbëngulës sa në të parën dhe vetëm fati mund ta shpëtonte Bjellorusinë nga humbja. Vërtet e nisim me një pasiguri të portierit Ujkani, por më pas portieri bjellorus kthehet në një “kala” që nuk rrëzohet. Devijon me duar një top të Salihit, kur i gjithë stadiumi bërtiti “gol”. Nuk kaluan shumë sekonda dhe do të vinte një tjetër “silur” i Bulkut, një nga më të mirat e tij, më e mirë se e pjesës së parë, por për fatin e keq tonin dhe të mirë të miqve, topi gjen këmbën e portierit. Të gjithë thanë: Çfarë i paskemi bërë Zotit që po na dënon kaq shumë?! Ankthi po rritej, sepse goli nuk po dilte në dritë. Nuk folëm për lojën e bjellorusëve, por nuk ke ç’të flasësh kur ata nuk e kaluan as mesin e fushës, ndërsa për raste shënimi as që bëhet fjalë.

Goli

Pikërisht atëherë kur të gjithë po thonin që fati na kishte braktisur, vjen goli me ndihmën e fatit. Themi kështu, sepse ishte një aksion pa shumë pretendime i tanëve. Një pas i gjatë i Skelës që nuk merr drejtimin e duhur, një mbrojtës mik, duke dashur t’ia lërë portierit, bën gabimin e ndeshjes. Aty përfiton Salihi, i cili më në fund u shpërblye për rastet e shumta të tij, por edhe të shokëve. Ai gjen cepin e portës dhe gjithë shqiptarët qajnë nga gëzimi. E dinin që do të mjaftonte për të fituar, sepse miqtë nuk ishin të aftë të barazonin. I patën mundësitë në një moment dhe nuk e bënë, kështu që tanët fillojnë sërish nga sulmet dhe për pak Salihi nuk shënoi të dytin, një gabim, sepse porta ishte bosh. Eshtë sërish shtylla aleate e Bjellorusisë. Nuk kalon shumë dhe Salihi shënon, por prapë nuk qenka e thënë, pozicioni i tij është jashtë loje. Trajneri Kuzhe ndërkohë kishte filluar më zëvendësimet, ku edhe Bakaj dhe Duron bëhen protagonistë të tjera sulmeve. Në fund ka pak ankth për mbajtjen e fitores, por miqtë janë konfuzë dhe nuk dinë si ta gjejnë golin. Mbyllet 1 0 dhe shpërthen edhe një herë tjetër i gjithë stadiumi. Shqipëria ngjitet e dyta në kuotën e 8 pikëve së bashku me Bjellorusinë. Le të shpresojmë, fundja kemi të drejtë të ëndërrojmë sërish.

Shqipëria: Ujkani, Lila, Cana, Teli, Vangjeli, Agolli, Lala, Bulku, Skela (Duro 80’), Salihi (Muzaka 89’), Bogdani (Bakaj 75’).Trajner: Josip Kuzhe

Bjellorusia: Veremko, Kulchiy (Bychenok 62’), Martynovich, Shitov, Molosh, Tigorev, Omelyanchuk, V.Hleb, Krivets (Kovel 46’), Putilo (Sitko 82’), Kislyak. Trajner: Bernd Shtange

Gjyqtarë: M.Strömbergsson, M.Sjöblom, D.Värnmark (Suedi)

Minutat

3’- Shqipëria shfaqet rrezikshëm në zonën e Bjellorusisë. Lila hedh një top në zonë, aty ku Bogdani për pak nuk e godet me kokë, në një pozicion shumë të favorshëm.
6’- Dy raste të shkëlqyera për gol, por kuqezinjtë janë të pafat. Fillimisht Salihi fiton një goditje këndi, që ekzekutohet nga Skela. Topi në zonë, gjen Canën, i cili godet me të majtën, por një nga mbrojtësit shpëton në vijën fatale. Vetëm pak sekonda më pas, Bulku lëshon një predhë nga 30 metra. Portieri mik shpëton portën, me një hedhje spektakolare.
17’- Salihi shënon gol, pas një aksioni të bukur, por gjyqtari e anulon dhe ndëshkon sulmuesin me karton të verdhë, për një prekje të topit me dorë. Rast i diskutueshëm për moviolë.
29’- Tjetër rast për kuqezinjtë. Skela tenton portën nga goditja e dënimit, pret me vështirësi portieri Veremko. Një minutë më pas edhe Salihi provon nga distanca, pret sërish portieri.
37’- Cana ndal një kundërsulm të rrezikshëm të miqve në mënyrë të parregullt dhe ndëshkohet me karton të verdhë. Bjellorusët provojnë nga goditja e dënimit, por pa sukses.
41’- Shqipëria vërtet e pafat! Gjuajtjen e Canës nga goditja e dënimit e ndal vetëm tranversa, me portierin Veremko të mundur.
47’- Ujkani bën një gafë, që mund t’u kushtonte kuqezinjve, kur topi i ikën nga duart. Sulmuesi bjellorus nuk arrin të përfitojë, duke simuluar një faull dhe duke u ndëshkuar me karton të verdhë.
49’- SuperVeremko, portieri mik, shndërrohet në makth për Shqipërinë. Në fillim devijon në momentin e fundit topin e goditur nga Salihi me kokë, që i drejtohej portës, pak sekonda më pas ndal me çfarë të mundet një gjuajtje predhë të Agollit.
62’- Gooool! Hamdi Salihi kalon në avantazh Shqipërinë. Sulmuesi përfiton nga një mosmarrëveshje mes mbrojtësve dhe portierit bjellorus dhe gjendet në vendin e duhur, në momentin e duhur. Nuk mendohet asnjë çast, godet me të parën dhe e çon topin në trekëndësh, duke çuar tifozët kuqezinj në delir. 1-0
72’- Bjellorusia rrezikon seriozisht portën e Shqipërisë. Në fillim me një gjuajtje nga distanca, që pritet nga Ujkani, më pas është Kovel, që godet pas një aksioni të bukur, por pret në dy kohë portieri ynë.
74’- Çfarë rasti ka humbur Salihi. Aksion perfekt i kuqezinjve, me Bulkun, që jep një asist të përkryer për Salihin, i cili godet, por topi përplaset në shtyllë. E pabesueshme!
77’- Salihi gjen sërish golin, pas një gjuajtjeje me kokë, por është në pozicion jashtë loje.
83’- Gjithçka sillet rreth Salihit, sulmuesi ka një tjetër rast për gol. Duro kroson në zonë, topi përplaset në këmbët e Salihit, i vetëm para portës, që bën mbrojtësin në këtë rast.
94’- Mbarojnë katër pikët shtesë, të akorduara nga gjyqtari suedez i ndeshjes. Merr fund ankthi për kuqezinjtë, që vuajnë disi në limitin e sfidës.

Kuzhe: Ishim madhështorë, jemi në lojë për gjithçka

Tiranë, 27 mars - Josip Kuzhe arriti të ndërtojë një superskuadër për ndeshjen e mbrëmshme ndaj Bjellorusisë, nga më të mirat që ka luajtur Shqipëria në vitet e fundit. Në fund të saj, tekniku kroat nuk i ka përmbajtur emocionet, ndërsa ka deklaruar se duhet të ishin shënuar më shumë gola, duke parë rastet e shumta të krijuara. "Ishte një ndeshje e shkëlqyer, nga e gjithë skuadra, deklaroi Kuzhe, raporton BalkanWeb. Jam shumë i kënaqur, sepse nuk i lamë asnjë shans kundërshtarit. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen më shpejt, duke shënuar golin e dytë dhe kjo do të na bënte të ishim më të qetë. Megjithatë, shkoi gjithçka në mënyrë perfekte", shtoi ai.
I pyetur në lidhje me shanset që ka Shqipëria për kualifikim, Kuzhe u mundua të ishte i kujdesshëm. "Natyrisht që kjo fitore na fut në lojë për gjithçka. Por, ishte vetëm një fitore, sepse kemi rrugë të gjatë për të bërë", tha ai. Homologu i Kuzhes, gjermani Bernd Shtange, ka pranuar me sportivitet, se Shqipëria e meritoi plotësisht fitoren në takimin e mbrëmshëm. "Nuk kam çfarë të them, Shqipëria mori një fitore me meritë, - deklaroi ai. - Ne vinim në këtë ndeshje me 7 mungesa dhe asnjëherë nuk është e lehtë kur të mungojnë 7 vetë. Madje, mund të ishim ndëshkuar që në pjesën e parë. Unë do isha i kënaqur edhe me një pikë nga kjo ndeshje, por nuk arritëm. Shqipëria megjithatë nuk vodhi asgjë, sepse e kërkoi fitoren dhe e mori", u shpreh tekniku i Bjellorusisë. "Ishte një ndeshje mjaft e mirë dhe e merituam, - deklaroi kapiteni i kombëtares shqiptare Altin Lala. - Duhet të shënonim më shumë gola, sepse sot vërtet që krijuam shumë. Gjithashtu, dua të falënderoj tifozët, sepse sot kanë qenë të mrekullueshëm. Shpresoj të jenë kështu në çdo ndeshje", shtoi kapiteni.

Berisha: Qeveria do të shpërblejë kombëtaren

Sali Berisha, kryeministri i Shqipërisë, deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së se qeveria që ai drejton do të shpërblejë kombëtaren shqiptare të futbollit për fitoren e djeshme ndaj Bjellorusisë me rezultatin 1-0, në stadiumin “Qemal Stafa”. “Qeveria do të shpërblejë ekipin kombëtar për ndeshjen e fituar, një nga ndeshjet më të bukura të kombëtares sonë. Kjo ishte performanca më e mirë dhe parqaqitja më dinjitoze e Shqipërisë”, deklaroi Berisha. Gjithashtu, kryeministri i vendit siguroi se viti 2012 “do te jetë viti i finalizimit të stadiumit kuqezi”.

Bogdani: Jemi më të mirë se Franca

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, ka reflektuar pas ndeshjes së fituar minimalisht ndaj Bjellorusisë në Qemal Stafa, duke thënë se as Franca nuk luajti sikurse Shqipëria. “Unë them që gjithë ekipi luajti mirë ndaj Bjellorusisë, e kemi merituar fitoren dhe e dinim se kundërshtari që kishim përballë ishte mjaft i vështirë”. “As Franca e as Rumania nuk kanë arritur t’i shënojnë gol, ndërsa ne arritëm të krijonim mbi dhjetë raste të pastra për gol. Është shumë mirë dhe kështu si shkuan gjërat jemi në rrugë të mirë drejt synimit tonë”, u shpreh Bogdani.

Skela i qetë pas fitores

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ervin Skela ishte tepër i qetë pas fitores së rëndësishme ndaj Bjellorusisë, duke thënë se Shqipëria nuk duhet ta humbë momentumin dhe se duhet të mendojë ndeshje pas ndeshje e të mos kaplohet nga euforia. “Unë kam vite me kombëtaren, por të them të drejtën kjo ka qenë një nga ndeshjet më të rëndësishme për mua dhe gjithë ekipin. Kjo sepse u fol shumë për këtë ndeshje përpara dhe vazhdimisht. Megjithatë, jam jashtëzakonisht i kënaqur me këtë lojë që kemi zhvilluar dhe mendoj se ka qenë një nga ndeshjet më të rëndësishme që kemi zhvilluar”. “Më pranë kualifikimit? Ne shqiptarët kështu e kemi, nëse fitojmë një ndeshje ose ndodhemi të parët ose të dytët në grup për një moment, gjithnjë bëhemi shumë euforikë, por unë do të thosha se ne duhet të mendojmë ndeshje për ndeshje dhe e kam thënë gjithmonë dhe e përsëris edhe një herë – po dhamë maksimumin për këtë fanellë e për ekipin kombëtar secili prej nesh, atëherë ne bëjmë edhe mrekullira”, deklaroi Skela.

Kuqezinjtë në kor: Një nga ndeshjet më të bukura, për pikë në Bosnjë

Heronjtë kuqezinj janë thuajse të gjithë në sinkron për paraqitjen e Shqipërisë. Protagonistët e fitores me Bjellorusinë, që rikthehu në garë përfaqësuesen tonë në kualifikueset e Euro 2012, mendojnë se kjo ka qenë një nga ndeshjet më të mira. “Mund të them se është një nga 2-3 ndeshjet më të bukura që kombëtarja ka zhvilluar. Kemi luajtur duke dhënë maksimumin, kërkuam me mish e me shpirt fitoren dhe ia arritëm, pasi e dinim që kjo ndeshje ishte shumë e rëndësishme për ecurinë tonë në këto kualifikuese”, deklaroi Lorik Cana. “Ishte një fitore e arritur edhe me inatin për humbjen në Minsk, pasi ajo e ndeshjes së parë nuk ishte Shqipëria e vërtetë. Tashmë duhet të vazhdojmë kështu, të paraqitemi në të njëjtën mënyrë, pavarësisht kundërshtarëve që kemi përballë”. Hamdi Salihi, heroi i fitores, deklaroi se ky ishte goli më i rëndësishëm në kombëtare: “Është goli im më i rëndësishëm. Falënderoj Zotin dhe tifozët që ishin të mrekullueshëm. Zhvilluam një paraqitje shumë të mirë, duke sulmuar dhe mbi të gjitha duke e kontrolluar takimin. Tani të shijojmë këtë fitore dhe më pas do të mendojmë për ndeshjet e radhës, ku do të kërkojmë vazhdimësinë”. Me këmbë në tokë u shfaq kapiteni Altin Lala: “Kjo është një prej paraqitjeve më të mira të kombëtares, megjithatë me sa mbaj mend unë Shqipëria ka luajtur edhe më mirë se sot. Bjellorusët janë një kundërshtar i vështirë, por arritëm të kontrollonim lojën dhe të merrnim maksimumin nga kjo ndeshje”. Mesfushori i Hanoverit shtoi: “Me këtë fitore ndodhemi në vendin e dytë dhe tashmë duhet të shohim përpara me ambicie. Në ndeshjen e radhës shkojmë në Bosnjë për të marrë pikë”. Ervin Bulku nuk shënoi si në ndeshjen e parë, por me lojën përpara mbrojtjes ishte vendimtar për skuadrën. Mesfushori i Hajdukut të Splitit dha pasin final në aksionin më të bukur të sfidës, kur me një aksion “alla Barcelona”, Shqipëria ishte e pafat, pasi topi i goditur nga Salihi goditi shtyllën. “Mendoj se duhet të kishim fituar me rezultat më të thellë dhe kjo është diçka për të cilën nijej keqardhje”, tha Bulku. “Luajtëm shumë mirë, sakrifikuam dhe në fund u shpërblyem me tri pikët”.

Skandal me biletat, mijëra tifozë jashtë “Qemal Stafës” pa të drejtë

Ndeshja me Bjellorusinë ishte vërtet ndër më të rëndësishmet për fatin e eliminatoreve të Euro 2012 të kombëtares sonë në Grupin D, por askush nuk e kishte imagjinuar një interesim aq të madh të tifozëve kuqezinj për të ndjekur skuadrën e zemrës në këtë sfidë, ndoshta edhe për faktin se kundërshtari nuk prezanton një emër të madh në arenën europiane të futbollit. Por dje në mbrëmje është parë që “Qemal Stafa” i tejmbushur (rreth 15 mijë të pranishëm), në mbështetje të heronjve të saj, por skandali ka të bëjë me incidentin e ndodhur pak para orës 20.00, që përkon me fillimin e ndeshjes. Mbi një mijë kanë qenë tifozët jashtë stadiumit, në pritje të hyjnë brenda, por papritmas janë mbyllur portat dhe asnjë prej tyre, edhe sepse kishin biletat në duar, nuk është lejuar të hyjë brenda. Justifikimi i të ngarkuarve me kontrollin e biletave dhe ai i policisë ishte: “Nuk ka më vende, stadiumi është plot, nuk keni ku të uleni edhe nëse ju lejojmë të hyjnë”. Të zhgënjyer nga kjo përgjigje tifozë të ardhur nga Tirana, por edhe nga rrethe të tjera të vendit, madje shumë prej tyre edhe nga Kosova e Maqedonia, kanë protestuar për minuta të tëra, ndërkohë që policia ka vendosur t’i largojë nga ambientet përreth stadiumit. Gjatë ditës shumë bileta janë shitur me çmime të kripura edhe në tregun e zi. Për të dyja këto dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

Cana, nën "vëzhgim"

Ndeshja në mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë, është ndjekur edhe nga shumë vëzhgues të klubeve të ndryshme evropiane.

Cana: Kemi luajtur me mish e me shpirt për kombin tonë

Një nga futbollistët kryesor të kombëtares shqiptare, Lorik Cana, pas fitores kundër Bjellorusisë, ka thënë se nuk e mban mend një ndeshje çfarë ishte kjo kundër bjellorusëve.

Salihi: Treguam se jemi një komb, jemi një Shqipëri

Autori i golit të fitores të Shqipërisë kundër Bjellorusisë, Hamdi Salihi ka thënë se ndihet jashtëzakonisht i lumtur jo vetëm për golin e shënuar, por edhe me fitoren e ekipit shqiptar.

Fitorja dje e Kombëtares, jehonë mediatike nëpër Evropë

Në Bjellorusi, Bosnjë, Kroaci apo Francë, mediat i kanë bërë jehonë fitores së merituar të Shqipërisë ndaj bjellorusëve

Mediat bjelloruse pranojnë pa rezerva bindshmërinë e fitores shqiptare ndaj skuadrës së tyre përfaqësuese, madje pa ia vënë shumë veshin mungesave të shumta në formacion.
Ndërsa “Pressball” u justifikua lidhur me këtë, duke iu referuar fjalëve të trajnerit Shtange se nuk mund të zëvendësohen 7 lojtarë, portali sportiv në internet “Belarus” i ra drejt e në temë. “Bjellorusët nuk kishin shkuar në Tiranë me mendjen për të luftuar dhe fitorja shkoi në anën e atyre që e merituan plotësisht, - shkruante ajo, - që të fitohet duhet të luftohet dhe këtë shqiptarët e treguan mrekullisht gjatë gjithë ndeshjes”.
Komentet e tifozëve në forumin e gazetës boshnjake, “Dnevni Avaz” janë plot kënaqësi për fitoren e Shqipërisë sepse tifozët boshnjakë e kanë konsideruar Bjellorusinë si një kundërshtar më të rrezikshëm në garë për finalet e Europianit.
Mediat kroate kanë shkruajtur në mënyrë të përmbajtur, por edhe serioze për suksesin kuqezi në eleminatoret e Euro 2012. Gazeta “Jutarnji List” komentonte se Shqipëria arriti një fitore jashtëzakonisht të rëndësishme në grupin D dhe gëzimi shqiptarëve iu dha nga Hamdi Salihi në 62’ që dha 3 pikët. Tani Shqipëria u barazua me bjellorusët me nga 8 pikë. Në stol ishte sërish trajneri kroat, Josip Kuzhe, që është shëruar nga hemoragjia cerebrale.
Gazeta e madhe franceze, “L’Equipe” natyrshëm që i kushton një artikull skuadrave të grupit eleminator të përfaqësueses së vendit të saj. “Bosnja dhe Shqipëria kthehen në rrugë të mbarë” shkruan ajo, Bosnja më në fund iu imponua Rumanisë 2-1, ndërsa Shqipëria e dominoi Bjellorusinë. Pas Francës, çështja e kualifikimit mbetet e paqartë. Shqipëria e Lorik Canës bëri diferencën pas një ore lojë kur Hamdi Salihi i dha një avantazh të paçmueshëm. Kualifikimi duket larg për Rumaninë”. Në faqen zyrtare të UEFA-s, jepet fotografia e autorit të golit, Hamdi Salihit, njeriut që vendosi fatin e ndeshjes, ndërsa titulli është pa ekuivoke: Salihi shembi përtokë Bjellorusinë”. Më pas, komenti është që “goli i Salihit siguroi fitoren e Shqipërisë, duke kurorëzuar një paraqitje shumë të mirë që i mundësoi skuadrës së Josip Kuzhes të bashkohej me rivalët në 8 pikë”.

Lideri kuqezi, Cana: Vendosëm të fitonim dhe fituam!

Mbrojtësi i Gallatasarajit, Lorik Cana, luan prej tetë vitesh në kombëtare, por ai mban mend pak ndeshje si kjo e mbrëmshmja ndaj Bjellorusisë. Sepse kuqezinjtë, përveçse kanë marrë tri pikë, e kanë dominuar kundërshtarin në të gjitha drejtimet. Vetëm një gol, në fakt, ishte shumë pak. “Kemi zhvilluar ndoshta një nga dy tri ndeshjet më të bukura qysh kur kam ardhur në kombëtare. Kanë ndikuar disa faktorë në fitoren e sotme (të mbrëmshme), por nuk mund të themi se kemi arritur gjithçka. Çunat kanë kohë që luajnë bashkë dhe kur futën në fushë japin gjithçka. Kemi vendosur bashkarisht për taktikën para ndeshjes, duke i ditur pikat tona të forta dhe të dobëta,” - është shprehur Cana pas ndeshjes. Shqipëria renditet në vendin tretë, me pikë të barabarta me Bjellorusinë, por ndeshjet e mbetura, përveçse me Luksemburgun, janë më shumë se të vështira (me Bosnjën jashtë, dy herë me Francën dhe me Rumaninë në “Qemal Stafa”). “Ekipi vazhdon në rrugën e vet, po përparon, por në ndonjë moment nuk e kemi treguar këtë vazhdimësi. Kemi një ambient të mrekullushëm dhe mbështetjen mjaft të fuqishme të tifozëve. Kemi luajtur me mish e me shpirt për kombin tonë. Atmosfera ka qenë e mrekullueshme. Mund ta kemi pasur edhe herë të tjera këtë atmosferë, por kemi mbetur të zhgënjyer: kemi barazuar ose humbur. Kjo fitore ka qenë e domosdoshme dhe ne e kemi marrë me inat dhe me forcë. Kemi fituar me vetëm një gol, por duhet të shënonim më shumë,” - vijon më tej lideri i mbrojtjes kuqezi. Nëse gjuajtja e fortë nga distanca do të përfundonte në rrjeta, pa dyshim që nata e mbrëmshme do të ishte perfekte për Canën. “Më vjen keq që goditja ime nuk hyri në portë. Isha pa fat në atë rast. Fitorja do të na japë besim për ndeshjet e ardhshme, në ambientin dhe lojën tonë. Do të mundohemi të japim maksimumin,” - përfundon Cana, i cili u ndëshkua me karton të verdhë, pas një faulli taktik.

Goleadori Salihi: Ndihem thjesht i mrekulluar

Është gjithmonë në momentin e duhur dhe në vendin e duhur. Arrin të pabesueshmen: humbet disa raste, por i vjedh mbrojtësit dhe portierit një top, të cilin më pas e dërgon, si gjithmonë, në rrjetë. Ky është Hamdi Salihi, heroi i mbrëmshëm i kuqezinjve: “Ndihem sikurse çdo shqiptar që ka qenë i pranishëm në stadium dhe të gjithë ata që na kanë ndjekur nëpërmjet televizorit. Jam thjesht i mrekulluar dhe i falënderoj që të gjithë. Kjo tregon se jemi një komb, jemi një Shqipëri dhe jemi gjithmonë të gjithë bashkë. A ka qenë ky goli më i bukur? Eshtë goli më i rëndësishëm, mund të them. Unë falënderoj Zotin dhe të gjithë këta tifozë që ishin në stadium dhe na mbështetën,”- deklaron sulmuesi i Rapidit. Mbrëmë arriti në kuotën e 7 golave me kombëtaren, sa gjysma e rekordmenit Alban Bushi. Mirëpo e ardhmja është e tij, pasi të paktën në dy eliminatoret e ardhshme do të jetë sulmuesi kryesor i Shqipërisë.

Bulku, fuqia e pashtershme e mesfushës

Sa herë që do të kujtohet fitorja e mbrëmshme, mendja do të shkojë te golashënuesi Salihi, tek i pamposhturi Erjon Bogdani, tek Cana, Skela… Mirëpo motori i mesfushës sonë ishte Ervin Bulku. Nuk ka ndalur asnjë sekondë së vrapuari, duke dhënë maksimumin e mundshëm për skuadrën: “Mund të kisha shënuar edhe sot, por kjo nuk ka fare rëndësi para fitores së Shqipërisë. Gjykimin më të saktë për lojën që kemi zhvilluar sot e bëjnë trajneri, mediat, specialistët dhe mbi të gjitha tifozët. E kemi dominuar kundërshtarin gjatë gjithë lojës. Do të ishte mëkat nëse sot (mbrëmë) do të dilnim pa tri pikë. Të gjithë lojtarët ishin në ditën e tyre më të mirë, ndaj arritëm këtë rezultat. Vërtetuam se në Bjellorusi në ndeshjen e parë ne mundëm veten. Në këtë ndeshje treguam se sa vlejmë.”

Kapiteni Altin Lala, fantazisti Ervin Skela, si dhe sulmuesi Erjon Bogdani justifikuan gjithçka

Pyetjes delikate një ditë para ndeshjes se cili do të ishte objektivi i Shqipërisë në rast humbjeje, Josip Kuzhe iu përgjigj: “Do të mendojmë për rinovimin e skuadrës në kuadër të eliminatoreve të ardhshme.” Lapsi i rinovimit do të kapte të parët Lalën dhe Skelën, që vështirë se do të grumbulloheshin në ndeshjet e mbetura eliminatore. Kroati Josip Kuzhe është vlerësuar shumë për impostimin e skuadrës në ndeshjet paraardhësi, por këtë radhë, pa ia hequr meritën trajnerit, ndeshjen e fituan futbollistët. E fitoi Lala, Cana, Duro, Skela, Bogdani, Beqaj… Të gjithë bashkë lidhën besën dhe vendosën të mos dilnin pa pikë nga “Qemal Stafa”. Të gjithë bashkë vendosën për formacionin dhe mënyrën e lojës. Kuzhe u besoi dhe ata ia shpërblyen. Lala mbrëmë luajti ndeshjen e 74-t me kombëtaren, Skela të 73-ën, e me sa duket do të vijojnë të thyejnë rekorde.

Skela: Mund të bëjmë mrekullira

Nuk ka luajtur futboll për muaj të tërë, është 34 vjeç dhe përsëri është ai që bën diferencën në fushë. Ervin Skela është një nga mesfushorët më të mirë të historisë së futbollit shqiptar. Mbrëmë vërtetoi që sapo të lërë futbollit, do të na duhet shumë kohë për të gjetur një si ai. “Unë kam vite me kombëtaren, por të them të drejtën, kjo ka qenë një nga ndeshjet më të rëndësishme për mua, por edhe gjithë ekipin. E them sepse u fol shumë për këtë ndeshje. Megjithatë, jam jashtëzakonisht i kënaqur me këtë lojë që kemi zhvilluar dhe mendoj se ka qenë një nga ndeshjet më të rëndësishme tonat. Më pranë kualifikimit? Ne shqiptarët kështu e kemi, nëse fitojmë një ndeshje ose ndodhemi të parët ose të dytët në grup për një moment, gjithnjë bëhemi shumë euforikë. Unë do të thosha se ne duhet të mendojmë ndeshje për ndeshje. E kam thënë gjithmonë dhe e përsëris: edhe një herë, po dha maksimumin për këtë fanellë e për ekipin kombëtar secili prej nesh, atëherë ne bëjmë edhe mrekullira.”

“Skaneri”, kuqezinjtë të shkëlqyer, thuajse ndeshje perfekte

Samir Ujkani

Fituesi nuk gjykohet dhe portieri i së ardhmes së kombëtares sonë, pavarësisht ndonjë momenti pasigurie, meriton të përgëzohet. Në fund të fundit, nuk ka pësuar gol. Gjatë pjesës së parë ka qenë spektator, sepse bjellorusët nuk gjuajtën asnjëherë në portën e tij. Eshtë vënë në provë vetëm në fundin e ndeshjes dhe ka reaguar, duke e ruajtur të paprekur rrjetën. Çdo ndeshje me fanellën kuqezi është një plus për të, pasi fiton përvojë dhe ndien peshën e fanellë së rëndë të kombëtares.

Andi Lila

Mjaft i lëvizshëm në krahun e djathtë, duke dalë përpara shumicën e kohës dhe duke mbrojtur fort. Agresiv në çdo dyluftim dhe energjik deri në çastet e fundit të lojës, duke sfiduar lodhjen e pozicionit që mbulon. Mbrojtësi i Tiranës ka bërë që mungesa e Dallkut të mos ndihet në këtë ndeshje. Minuta shumë të mira në fundin e ndeshjes, duke e ndihmuar skuadrën të mbetet përpara. Aktivizimi si titullar po i bën mirë, pasi po e ngre nivelin nga ndeshja në ndeshje.

Admir Teli

Një ndeshje e nivelit mesatar për futbollistin shkodran. Nuk është se skuadra jonë ka pasur shumë për të bërë në prapavijë, por Teli e ka bërë detyrën e tij bashkë me Canën, duke mos e lejuar kundërshtarin të mos gjejë hapësira në qendër të mbrojtjes. Mbetet një alternativë e mirë për qendrën e mbrojtjes, ku kombëtarja jonë ka vuajtur më shumë kohët e fundit, aq më tepër pas dëmtimit të Debatik Currit. Edhe ka pjesën e tij në fitoren e një ndeshje të interpretuar shumë mirë nga skuadra shqiptare.

Lorik Cana

Ka bërë atë që di të bëjë më mirë ai. Frymëzues i vërtetë i gjithë skuadrës, duke i dhënë kurajo asaj, por mbi të gjitha thelbësor në fazën mbrojtëse. I pafat në pjesën e parë, kur topi i goditur me mjeshtëri prej tij është ndalur nga traversa. Me eksperiencën që mban mbi supe dhe forcën fizike, ka luftuar fuqishëm në fundin e ndeshjes, kur sulmet e Bjellorusisë u shtuan. Mjaft i vëmendshëm në finalen e ndeshjes, kur kundërshtari u bë më i rrezikshëm. Eshtë ai siguria kuqezi në prapavijë.

Kristi Vangjeli

Fiton më shumë faulla se Mesi dhe Kristiano Ronaldo, edhe pse është një mbrojtës. Mjaft i zgjuar në veprimet mbrojtëse dhe “hileqar”, kur e do puna, ndërkohë që nuk mungon edhe me daljet përpara në krahun e majtë. Një ndeshje nga më të mirat për futbollistin korçar, që është dalluar shpesh për mbulimin e rreptë të elementëve më të rrezikshëm të skuadrës kundërshtare. Duket se kuptohet shumë mirë me Agollin në linjën e majtë.

Ervin Bulku

“Motori” i vërtetë i skuadrës sonë, pa dyshim futbollisti që ka vrapuar më shumë në këtë 90-minutësh, pse jo dhe më i miri në fushë, edhe pse në raste të tilla nuk ka vend për të veçuar individë. Një pjesë e parë e shkëlqyer për mesfushorin, që ka paraqitur një formë fizike të admirueshme, duke balancuar edhe ndonjë “deficit” të veteranëve të këtij reparti. Një gjuajtje e mrekullueshme në pjesën e parë dhe shumë topa të fituar në mesfushë.

Altin Lala

Këtë radhë është parë një Lalë jashtë “natyrës” së tij, i cili merrte pjesë në çdo aksion të kombëtares kuqezi. Eshtë parë një Lalë mjaft taktik, që ka bërë me shumë kujdes zhvendosjen e lojës në krahë dhe përpara. Ka bërë çdo gjë mirë si për të treguar se kur vesh fanellën kuqezi për të nuk kanë rëndësi vitet apo aktivizimi me Hanoverin. Ka merituar respektin e gjithë futbollistëve të tjerë dhe tifozëve. Jo më kot trajneri Kuzhe i ka besuar deri në fund një “steke të vjetër”, siç është kapiteni kuqezi.

Ansi Agolli

Është ai pasardhësi i denjë i Muratit dhe Haxhit në krahun e majtë. Për këtë nuk ka më asnjë dyshim. Një ndeshje shumë e mirë për Agollin, i cili ka hedhur disa topa të rrezikshëm në zonën kundërshtare dhe ka provuar të shënojë me të majtën, por portieri bjellorus nuk e ka lejuar. Krosimet e tij të befasishme nga vendi janë një “armë” e fortë e këtij futbollisti, që ka fituar personalitetin e tij si titullar i kombëtares sonë. Një nga më aktivët në këtë 90-minutësh.

Ervin Skela

Eshtë rikthyer Ervin Skela e ditëve më të mira, me topa të infiltruar në zonë kundërshtare dhe një ekzekutues i saktë i thuajse të gjitha goditjeve standarde, megjithëse këtë radhë nuk ka shënuar. Duke përfituar edhe nga apatia e futbollistëve të Bjellorusisë, fantazisti ka pasur liri veprimi dhe ka bërë disa gjëra të bukura, siç ishte ai pasim i artë për Salihin në pjesën e parë. Ka ditur t’i japë “oksigjen” skuadrës në moment të vështira, duke fituar me zgjuarësi disa faulla.

Erion Bogdani

Me klasin e një futbollisti që prej vitesh luan në Serinë A, Bogdani ka qenë pika e referimit për tanët. Edhe pse nuk është dhënë asnjë mundësi për të shënuar, ai i ka shërbyer mjaft kombëtares në këtë ndeshje, duke mbajtur pas vetes dy mbrojtës kundërshtarë, çka ka bërë që për Salihin të ketë më shumë hapësira. Një asist i tij për këtë të fundit. Trajneri Kuzhe e ka zëvendësuar ndoshta në momentin e tij më të mirë, kur sulmuesi shtatlartë po e mbante skuadrën tonë përpara.

Hamdi Salihi

Autori i golit të fitores nuk ka sesi të mos meritojë fjalët më të mira. Ka ditur të përfitojë nga ai gabim në mbrojtje i bjellorusëve, të cilët ndoshta e kuptuan se i takonte të shënonte një gol në këtë ndeshje. Nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë topa goli në dispozicion, por vetëm një herë e ka përcjellë në rrjetë dhe, nëse s’do ta kishte bërë këtë, do të ishte “kryqëzuar” nga të gjithë. Zoti e ka hedhur me njërën dorë, por është treguar “i vëmendshëm” dhe e ka pritur me tjetrën.

Elis Bakaj

Për aq minuta sa luajti ka pasur lëvizshmërinë e duhur dhe kuptohet se ai është një alternativë e mirë për skuadrën tonë në fazën sulmuese.

Klodian Duro

Pak minuta për mesfushorin me përvojë, që di ta bëjë detyrën me teknikën e tij, kur skuadra duhet të ruajë rezultatin.

Gjergj Muzaka

Vetëm pak minuta, kështu që nuk mund të jepet një vlerësim për këtë futbollist. /
JUVENEWS.TK/