23 maj 2011

Anjeli sulmon Federatën: S’kanë ndërgjegje të pastër


Ka folur pak dhe qartë. Presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, i ka dërguar një mesazh mëse domethënës Federatës Italiane të futbollit, nëpërmjet faqes zyrtare të skuadrës bardhezi në Twiter. “Fakti që po vonohen kaq shumë për t’iu përgjigjur apelimit tonë do të thotë se s’kanë një ndërgjegje të pastër”, ka nënvizuar qartë Anjeli.

Është një frazë, e cila po tingëllon mjaftueshëm në ambientet futbollistike dhe shumë shpejt do të jetë thelbi i diskutimeve. Fjalët e Anjelit lidhen me apelimin që klubi torinez ka bërë para një viti, më 10 maj të 2010-ës, lidhur me kampionatin e sezonit 2005/2006.

Ky titull i është rrëmbyer Juventusit si pasojë e çështjes “Calciopoli” dhe i është dorëzuar Interit. 10 majin e këtij viti Juventusi publikoi një shënim në faqen zyrtare: “Kalimi i kohës nuk e ka dobësuar vëmendjen e shoqërisë për titullin e vjedhur, rreth të cilis më 10 maj të vitit të kaluar i kemi paraqitur dhe një ekspoze federatës.

Fakti është që kemi respekt ndaj autonomisë së organeve të drejtësisë sportive mirëpo duket se po abuzohet me përgjegjësinë në sytë e miliona tifozëve që prej kohësh presin një përgjigje të thjeshtë. Trajtimi i dy palëve duhet të bëhet gjithmonë në bazë të drejtësisë në çdo shtëpi, rregulli është virtyt i drejtësisë.”
/JUVENEWS.TK/