23 maj 2011

Juventus, në listën “big” është dhe Sançez


Jo vetëm Aguero dhe Riberi. Bardhezinjtë janë në kërkim të një kampioni. Spikat kiliani i Udinezes

Një gjë është e qartë, në sezonin e ardhshëm Juventusi do të ketë në dispozicion një kampion absolut. Dy synimet e para të Bepe Marotës dhe Fabio Paratiçit mbeten Serxhi Aguero dhe Karlos Tevez. Por, nuk është për t’u nënvleftësuar as rasti i Frenk Riberisë. Francezi i Bajernit të Mynihut, i cili po rigjen vetveten pas largimit të Van Galit, është i pari që i është bashkuar Heinkesit.

Ai sapo ka rinovuar kontratën me bavarezët pas shumë diskutimeve me drejtuesit, por kjo s’do të thotë që s’mund të ndërrojë mendim, i bindur edhe nga fjalët e ish-shokut të tij të skuadrës Luka Tonit, i cili gjithmonë i ka folur me entuziasëm rreth skuadrës bardhezi.

Edhe në këtë rast vlera e lojtarit llogaritet në shifrat e 30 milionë eurove (ndoshta edhe pak më shumë) dhe rroga për të pritet të jetë e majme edhe pse lojtari do të rrezikojë të luajë me një ekip që nuk merr pjesë në Champions.

Në nivelin taktik Riberi është një lojtar perfekt për skemën 4-4-2 të Antonio Kontes, pak a shumë në një rol si ai i Di Marias dhe Kristiano Ronaldos. Gjithsesi Juventusi ende nuk ka hedhur një hap zyrtar: vetëm kur tekniku i sapoardhur, Konte të marrë dirigjimin e skuadrës bardhezi do të fillojnë idetë konkrete për merkaton, duke vendosur mbi pjatë edhe emrat e Benzemasë apo Dzekos.

Sipas shtypit italian nuk duhet nënvleftësuar as rasti i Aleksis Sançez, i cili po ashtu përshtatet në mënyrë perfekte me skemën e Kontes. Ylli i Udinezes, është një nga lojtarët më në qendër të merkatos për momentin, aq sa dhe Barcelona ka kohë që ka nisur të interesohet për të.

I ardhur në verën e 2008-ës në Friuli për 2 milionë euro, tashmë kartoni i sulmuesit kilian shkon në 25-30 milionë euro. Pará, që Juvja synon t’i paguajë të paktën për të sjellë një lojtar kampion në Torino. Pjesë e planit të rinovimeve është edhe Havier Pastore, megjithëse prej Palermos mund të vijë edhe Mauricio Pinila për shifrën e 8 milionë eurove.

Në mesfushë duket se nuk do të ketë më hapësira për Felipe Melon dhe Sisokon. Objektivat e këtij reparti mbeten Fernando i Portos dhe Diarra i Realit të Madridit.
/JUVENEWS.TK/