21 maj 2011

Juvja: 35 milionë për një super-blerje


Vetëm një blerje 30-35 milion euroshe. Kjo është ideja për projektin e lejuar nga buxheti. Një shifër që e kalon aktualisht klauzolën e prishjes së kontratës së Agueros, por me sa duket asgjë nuk e ndal Atletikon e Madridit për të mos pranuar ulje çmimi.

Do të flasin sërish, por fjalët nuk vlejnë asgjë. 30 ose 35 milionë euro mund të mjaftojnë edhe për Benzemanë, nëse prioritet do të jetë sulmi, ose për Riberinë, nëse do të vendoset të ndërhyhet bindshëm në krahët. Alternativat të çojnë tek emrat e Xhilardinos dhe Bastos, tratativa që mund të janë të komplikuara për shkaqe ekonomike.

Gjithçka varet edhe nga udhëzimet e Antonio Kontes, të cilit mes të tjerash nuk do t’i pëlqente të mbante Sisokon, një lojtar që tashmë është larguar jo vetëm fizikisht, duke qëndruar me pushime në Francë, por prej kohësh edhe njerëzisht, duke kjtuar këtu edhe raportet me drejtuesit.

Do të ndryshojë edhe mesfusha e bardhezinjve, sepse Melo është në merkato në pritje të ofertës më të mirë nga Spanja ose Anglia, por edhe për arsyen se po punohet për mbajtjen e Akuilanit. 10 milionët e ofruar nga Juve për Liverpulin (i cili kërkon më shumë) janë parà që mund të përdoren edhe për Montolivon.

Pritet vetëm zyrtarizimi për Ziglerin, Paciencan dhe Pirlon, i cili për prestigj ka preferuar Juven në vend të Fiorentinës dhe Romës, duke hequr dorë në këtë mënyrë nga mundësia për të luajtur në Ligën e Europës. Një zgjedhje dhe sjellje me të cilat do të prezantohet në mënyrën më të mirë përpara juventinëve, trajneri i të cilëve e kishte zgjedhur prej kohësh dhe mezi po pret datën e saktë për ta përqafuar.
/JUVENEWS.TK/