19 maj 2011

Pirlo, lamtumirë Milanit pas 10 vitesh


Mesfushori ishte dje në klubin kuqezi për të takuar shokët e ekipit: Shpresoj që Milani të pendohet

Pas rinovimit të Nestës dhe Van Bomelit, vjen dhe lamtumira e parë nga Milani me një nga lojtarët që i skadon kontrata në qershor: është Andrea Pirlo, që ka nënshkruar një marrëveshje me Juventusin për tre vitet e ardhshme, ndonëse mungon zyrtarizimi.

Mesfushori, teksa po hynte në selinë e klubit kuqezi në Milano, ka konfirmuar lamtumirën duke thënë: “Jam këtu për të bërë përshëndetjet. Kanë qenë dhjetë vjet të paharrueshëm, është një divorc konsensual.

Milani do të pendohet? Shpresoj që po. Rrugët tona ndahen. Falënderoj klubin dhe tifozët për mbështetjen që më kanë thënë në këto vite. Juvja? Nuk kam folur me asnjë”, e mbyll mesfushori breshian deklaratën e tij me diplomaci.

Dhjetë vjet pas ardhjes së tij tek Milani, lamtumira është shumë e hidhur (”Më vjen keq që largohet, - tha Xhianluka Zambrota, shok i Pirlos që nga kohët e U-21, - por nuk i ka përshëndetur ende të gjithë”). Një sezon i parë i përjetuar pa shumë shkëlqim.

Më pas intuita e lumtur e ndryshimit të rolit ka përmbysur gjithçka për mirë: një fantazist në kabinën e regjisë, ishte një nga zgjedhjet më të lumtura të viteve të fundit. Një lëvizje që e nderoi Milanin, që me këtë “gjeni të vogël” përpara mbrojtjes, edhe i cilësuar idealisht si një piktor i Rilindjes, ka fituar dy Liga Kampionesh. Ishte vendimtar me kombëtaren duke fituar Kupën e Botës në 2006-ën.

Dhe kanë mundur të shijojnë të gjithë të pasionuarit e futbollit, të lumtur që po shihnin më në fund një yll në atë rol, shpesh i zënë nga mesfushorë jo shumë të zgjuar dhe krijues. Ishte një lëvizje që ka ndikuar edhe trajnerë të tjerë: që atëherë, gjithnjë e më shumë, numrat 10 të mbushur me “fosfor”, janë zhvendosur disa metra prapa për të nisur manovrat.

Meritë e dy “Karletove”: Macone e Ançeloti. I pari pati idenë te Breshia, i dyti e transferoi tek Milani, duke ndjekur edhe këshillat e Pirlos. Dhe tani vjen lamtumira.

Një lamtumirë e hidhur, sepse Milani e kishte të vështirë ta mbante me atë rrogë (6 milionë euro në sezon) dhe ai e kishte të vështirë të qëndronte pa një ofertë cilësore nga ana e Galianit. Dhe Juvja në këtë rast përfitoi, duke i ofruar 4 milionë euro për 3 sezone, një kontratë që e ka joshur Pirlon.
/JUVENEWS.TK/