23 maj 2011

Trajnerët më të mirë të sezonit në Serinë A


Kampionati italian ka ulur siparin për këtë sezon, teksa tashmë ka mbetur për t’u diskutuar vetëm finalja e Kupës së Italisë mes Interit dhe Romës. Ekipet tashmë kanë filluar të bëjnë analizat e tyre, për të kuptuar gjërat që shkuan mirë dhe ato që nuk shkuan. Vlerësimet kryesore, përveçse lojtarëve, bëhen edhe për trajnerët. Eurosport.it ndërkohë ka bërë një klasifikim, duke u vendosur notat, trajnerët që kanë arritur të bëjnë një punë të mirë gjatë këtij kampionati. Nota më e lartë është 10.

Palma e Artë për Guidolin (Nota 10)

Ka qenë ndoshta blerja më e madhe e Udinezes gjatë këtij sezoni. Në fund të kampionatit të kaluar, presidenti i Udinezes, Poco, shprehej kështu: “Kam ruajtur ekipin e sezonit të shkuar, duke ndërruar vetëm trajnerin, sepse jam i bindur se ky është një gup i mirë lojtarësh. Nëse Guidolin do të bëjë mirë, atëherë do të kem të drejtë, nëse jo, atëherë mund të konsiderohem si idiot”. Dhe në fakt, nuk gaboi. Udineze arriti që të kualifikohej në Ligën e Kampioneve, kur në fillim nuk e priste askush këtë gjë. Madje, kualifikimin e arriti me futbollin më të bukur të luajtur në kampionatin italian. Udineze arriti që të grumbullojë 66 pikë dhe të shënojë 38 gola jashtë fushës së vet, që është një rekord për kampionatin italian. Dhe të mendosh që Guidolin ishte drejt shkarkimit në fillim të kampionatit, për shkak se në pesë ndeshjet e para arriti që të grumbullonte vetëm një pikë.

9- Maxari

Ka bërë një punë të shkëlqyer, duke e rikthyer Napolin pas shumë vitesh në Ligën e Kampioneve. Gjatë kampionatit ka pasur disa ulje(humbja në San Siro, ajo ndaj Udinezes në fushën e vet, si dhe humbja në Kiveo), ndërsa ka shkaktuar edhe polemika me presidentin De Laurentis. Megjithatë, nuk mund t’i mohohet asnjë meritë, sidomos fakti që vendosi Kavanin në qendër të sulmit, duke e kthyer atë në një prej golashënuesve më të mirë.

8.5- Alegri

Arriti që të kishte sukses me Milanin që në vitin e parë, duke fituar kampionatin. Një gjë që jo të gjithë e bëjnë dhe sidomos duke parë që Milani nuk e fitonte kampionatin prej shtatë vitesh. Ka meritën se vendosi ekuilibrat teknike në ekip dhe kuptoi që Pirlo ishte më shumë një peshë për ekipin, se sa ndihmë. Gjithashtu, ringriti Gatuzon e robinjën dhe kuptoi që Boateng mund t’i jepte më shumë dinamizëm ekipit. Me vetëm katër humbje në kampionat dhe një dominim në derbi ndaj Interit, sezoni i tij nuk mund të quhet veçse pozitiv. E vetmja gjë negative mbetet paraqitja në Ligën e Kampioneve në grup dhe eliminimi nga Totenhem.

8- Leonardo dhe Reja

I pari synoi që të ndryshonte diçka në planin taktik, duke gabuar shumë rëndë në Ligën e Kampioneve(humbja me Shalken djeg shumë), por ka meritën që rifuti Interin në luftën për titullin kampion, edhe pse nuk ja arriti në fund, duke arritur 12 fitore radhazi në “San Siro”. Reja ndërkohë arriti që t’i jepte ekipit 20 pikë më shumë se sezoni i kaluar, kur Lacio luftonte për të mos rënë nga kategoria. Kryeqytetasit për pak nuk shkuan në Ligën e Kampioneve dhe meritë e kësaj ka qenë e Rejas, i cili krijoi një mbrojtje shumë të fortë dhe një mesfushë dinamike. Notën 8 meriton edhe trajneri i Parmës, Kolomba, që bëri një fazë të dytë të shkëlqyer, duke e shpëtuar ekipin nga rënia një kategori më poshtë.

7.5- Pioli

Kievo dinte gjithmonë si të lëvizte, e lexonte mirë ndeshjen, kishte një identitet preciz taktik dhe gjithë kjo ishte meritë e një prej trajnerëve që konsiderohet si më i pregatituri në Itali, Piolit. Ky i fundit i siguroi Kievos një qëndrim të qetë në Serinë A.

7- De Kanio dhe Fikadenti

Të dy janë autorë të mrekullive. De Kanio arriti që të shpëtonte Leçen kur dukej se nuk kishte shpresa, ndërsa Fikadenti shpëtoi Çezenën, edhe pse në një moment rënia e ekipit në Serinë B ishte konsideruar si një fakt i kryer. Për më tepër që këtë e bëri me pak sulmues, duke qenë se kishte në dispozicion vetëm Bogdanin dhe Budanin.

Për të përfunduar, duke mos përmendur teknikë si Montela, Mihajloviç, Simeone, Delio Rosi, Malezani, Balardini etj, që meritojnë një notë të mjaftueshme sa për të kaluar klasën, vijmë tek teknikët që kanë zhgënjyer së tepërmi me rezultatet e ekipeve të tyre. Të fundit në këtë renditje janë Marino i Parmës, Kavazin i Sampdorias dhe Del Neri i Juventusit. I pari për pak e rrëzoi Parmën në Serinë B, i dyti ja “arriti” kësaj gjëje me Sampdorian, ndërsa Del Neri, për herë të parë që prej 20 vjetësh, bëri të mundur që Juventusi të mos luajë në kompeticionet evropiane.
/JUVENEWS.TK/